TIRANË- Shkarkohet nga detyra gjyqtarja Fatmira Hajdari! Në seancën e ditës së sotme, ku Hajdari ishte e pranishme, Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit vendosi shkarkimin e saj nga detyra, për shkak se kishte fshehur që i ishte refuzuar viza amerikane dhe nuk justifikonte 470 mijë $.
Për mikrofonin e Report Tv, ajo e komentoi këtë vendim të KPK-së me vetëm një fjali. "Ishte e pritshme", tha Hajdari, teksa avokati i saj, Maks Haxhia tha se do ta apelojnë vendimin. "Do ta apelojmë sigurisht", tha Haxhia në përfundim të seancës.
Çfarë ndodhi në seancën dëgjimore? Nga hetimi i thelluar i Komisionit të Vetingut rezultoi se gjyqtarja nuk justifikonte një pasuri me vlerë rreth 470 mijë dollarë. Komisioni i Vetingut e la të hapur mundësinë për ta ulur këtë shumë të pajustifikuar deri ditën e vendimit, nëse gjyqtarja sjell prova të reja për burimin e ligjshëm të parave të investuara në pasuri të paluajtshme.
Edhe Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar kishte paraqitur një raport, sipas të cilit gjyqtarja Fatmira Hajdari ishte e përshtatshme për të vijuar detyrën në drejtësi dhe se nuk kishte gjeruar asnjë indicie që mund të njolloste figurën e saj. Por, Komisioni i Vetingut ishte vënë në dijeni se Ambasada Amerikane në Tiranë i kishte anuluar vizën gjyqtares Hajdari, duke e ndaluar që të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këto kushte, Komisioni ka sinjalizuar DSIK-në, e cila ka ndryshuar raportin për pastërtinë e figurës për Fatmira Hajdarin. Në raportin e dytë, DSIK ka shënuar se gjyqtarja Hajdari nuk është e përshtatshme për të vijuar detyrën, pasi nuk ka deklaruar faktin e bllokimit të vizës.