TIRANË- Kur kanë kaluar një javë nga ekzekutimi i mafioz i Hekuran Billës, një person është arrestuar si autori kryesor i dyshuar. Autori i dyshuar i vënë në pranga nga policia për vrasjen e Billës është i afërm i Viktor Markut. Ky i fundit i shpallur në kërkim policor për t'u marrë në pyetje.
Nga operacioni i shtrirë në tre qytete, Tiranë, Lezhë dhe Dukagjin është arritur të vihet në pranga një person, identifikimi i të cilit është bërë i mundur nga kamerat e sigurisë. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije për gazetarin Merin Maçi se i dyshuari është mbajtur nën vëzhgim nga policia gjatë kësaj kohe, e ndërsa mësohet se po analizohen kamerat në zonë për identifikimin e autorëve të tjerë.Pista kryesore në të cilën janë shtrirë hetimet është ajo e hakmarrjes, e lidhur me një ngjarje të ndodhur në vitin 2006 në Angli ku Billa ka vrarë Prelë Markun, 22-vjeç aso kohe. Për këtë, policia ka shpallur në kërkim për ta marrë në pyetje vëllanë e viktimës, Viktor Marku, pasi nuk u gjet në shtëpi. Për këtë, Autoritetet Shqiptare i kanë dërguar një letër-porosi Anglisë dhe Belgjikës për të mësuar nëse 40-vjeçari kishte ende konflikte të hapura?