TIRANE-Situata e Covid 19 është përkeqësuar, rastet janë shtuar dhe sot kemi 36 raste ku 27 raste i përkasin Tiranës. Kjo situatë nuk ishte kaq e papritshme për shkak të grumbullimeve masive që kanë ndodhur ditët e fundit. Jo vetëm grumbullimet, por edhe mosrespektimi i këshillave, në lidhje me distancimin fizik, në lidhje me mbajtjen e maskave, në lidhje me shumë elementë të tjerë të kujdesit personal qoftë edhe të higjienës.
Të gjithë qytetarët, të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm që Covid19 nuk ka ikur nga vendi jonë. Deri më tani, deri në fillimin e hapjes së masave kishim një numër një shifror, e cila erdhi si rezultat i masave drastike, i sakrificës së gjithësecilit. Por kjo nuk do të thotë që me hapjen e masave ne të shpërdorojmë çdo këshillë dhe të shpërdorojmë atë që ne vetë sakrifikuam.
Në 24 orët e fundit janë testuar 359 persona të cilët janë dyshuar për Covid19 dhe prej të cilëve kanë rezultuar 27 raste në Tiranë, 4 raste në Shkodër, 2 raste në Kamëz, 1 rast në Durrës, 1 në Lushnje dhe 1 në Lezhë.
Të gjitha këto raste janë shfaqje e mosrespektimit të shumë rregullave e them dhe njëhërë, të distancimit fizik apo të përgjegjshmërisë personale apo kolektive në lidhje me punëdhënësit apo punëmarrësit. Një pjesë e mirë e tyre janë kontakte të rasteve pozitive që tregon që gjurmimi në terren po kryhet në mënyrë të fuqishme, i cili do të vazhdojë dhe do të përforcohet në javët në vijim.