Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve takojnë Presidentin, Stevo Pendarovski, për të biseduar për afatet e mundshme zgjedhore. Takimi vjen një ditë pasi liderët e partive politike kërkuan nga institucionet kompetente të tregojnë mendimin dhe gatishmërinë e tyre, për organizimin e zgjedhjeve. KSHZ-ja duhet të tregojë sa ditë do t?i duhen për organizimin e zgjedhjeve, pasi procesi ishte ndërprerë me dekret të Qeverisë. Sipas dekretit që është aktualisht në fuqi, dy ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, KSHZ-ja ka kohë të mbyll listën zgjedhore kurse afatet për të dhënat nga regjistrat e MPB-së dhe vërejtjet eventuale të partive kanë skaduar. Në përputhje me po të njëjtin dekret dhe afateve për organizimin e zgjedhjeve, procedura për verifikimin e listave të kandidatëve ka përfunduar kurse fushata zgjedhore do të fillonte dy ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Deri në takimin tjetër të liderëve, KSHZ-ja duhet të ketë një përgjigje. Ky institucion po ashtu duhet të përgatitet për organizimin e zgjedhjeve në kushte të jashtëzakonshme, sipas rekomandimeve nga Komisioni për sëmundje ngjitëse, mëson Alsat.
Komisioni për sëmundje ngjitëse përpara takimit tjetër të liderëve duhet të përpilojë protokollin e masave të posaçme që duhet të merren gjatë procesit eventual zgjedhor. Partitë politike presin të dinë se si do të zhvillohet fushata, komunikimet me qytetarët, promovimi i programeve dhe veçanërisht vetë procesi i votimit, organizimi në vendvotime dhe mbledhja e rezultateve. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk u përgjigjën për këto detaje.
Frika se votimet mund të shtojnë numrin e të infektuarve dhe nga ana tjetër, frika nga dalja e ulët e votuesve nuk vlejnë vetëm për vendin tonë. Më shumë se 50 vende në të gjithë botën anuluan zgjedhjet që nga muaji shkurt kur shpërndarja e virusit preku të katër anët e botës. Zgjedhje shembullore në kohë pandemie organizoi Republika e Koresë më 15 prill, me dalje rekord prej 66%. Nuk pati mitingje publike dhe takime me qytetarët kurse komunikimi i partive ishte kryesisht në rrjetet sociale, broshurave, aplikacioneve të posaçme në celular dhe mediave të tjera. 1/4 e zgjedhësve votuan para kohe nëpërmjet postës kurse qytetarëve që u paraqitën në vendvotime ditën e votimit, ju dhanë maska dhe doreza. Në hyrje u matej temperature kurse jashtë qendrave të votimit, votuesit në radhë respektuan distancën. Vendvotimet dhe kutitë u dezinfektuan vazhdimisht. Madje edhe të infektuarit dhe personat në karantinë mund të paraqiteshin në vendvotime pas orës 18, nën masa të posaçme. Në një intervistë televizive kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në vend Oliver Derkoski kishte deklaruar se zbatimi i këtyre masave tek ne, nuk do të jetë i lehtë.
Fatlume Dervishi