TIRANE-Një ditë më parë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj paralajmëroi nisjen e një aksioni për pastrimin e lumenjve të vendit duke nisur nga Erzeni. Report Tv bëri sot një vëzhgim në rrjedhën e lumit të Tiranës në urën që lidh kryeqytetin me Qafë Kasharin dhe Rinasin për të treguar gjendjen ku mbetjet i kanë 'marrë frymën' lumit, ashtu si shumë të tillë në të gjithë vendin.
Gazetari i Report Tv Arsen Rusta solli realitetin e dhimbshëm nga katastrofa urbane e ndotjes së mjedisit. Në pjesën e lumit gjenden qese plasmasi, pjesë makinash, perde, rroba, por edhe shumë mbetje të tjera plastike të cilat u janë ngjitur pemëve duke dëmtuar dhe tharë trungjet.Mbetjet, të cilat njerëzit nuk i hedhin në kosh, por në rrugë dhe lumë në zona të caktuara kanë arritur jo vetëm deri te trungjet, por në 'kate' deri te gjethet e pemëve. Panorama që solli Report Tv është mjaft e trishtë dhe një kambanë alarmi, pasi natyra ka 'ngritur' flamurin e bardhë duke u dorëzuar përballë asaj që i ka bërë njeriu.