Ditë tepër e vështirë për betejën me koronavirusin në Itali. Vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 23 persona, një shifër rekord për një periudhë kaq të shkurtër kohore, duke e çuar në total në 52 numrin e viktimave.
Po ashtu janë shënuar mbi 500 të infektuar të tjerë duke e çuar në mbi 1800 numrin total të tyre. Të moshuarit janë mosha më e rrezikuar ndaj dhe autoritetet italiane u bënë thirrje personave mbi 65 vjeç, të shmangin sa më shumë daljen nga shtëpitë. Rajanair, një tjetër linjë e madhe ajrore ka reduktuar në maksimum fluturimet drejt Italisë.
Koronavirusi numëron tashmë mbi 3 mijë viktima në gjithë globin dhe mbi 88 mijë të infektuar. Problem tani nuk është më Kina, ku numri i të infektuarve ka rënë në mënyrë drastike krahasuar me muajin e kaluar kur u arrit kulmi, siç duket edhe në këtë grafik.
Me ritme të shpejta, koronavirusi ka nisur të përhapet në gjithë globin, duke prekur më shumë se 60 vende të botës. Në Korenë e Jugut, vendi i dytë në botë pas Kinës me numrin e të prekurve, ku numërohen 26 viktima. Por numrin më të lartë të viktimave pas Kinës e ka Irani ku tashmë numërohen 66 të vdekur.
Koronavirusi po përhapet gjerësisht edhe në kontinentin amerikan. Shtetet e Bashkuara shënuan viktimën e dytë, ndërsa 86 janë të infektuarit. Pas Brazilit, vendi i dytë i infektuar është Ekuadori, ku 5 të infektuarit e radhës kanë lidhje me rastin e parë të shënuar në këtë vend.
Ekspertët e ekonomisë përllogarisin 5 triliardë dollarë humbje në tregjet globale për shkak të koronavirusit.
Tv Klan