TIRANE- Gjykata Penale e Tiranës ka kaluar për gjykim dosjen penale ndaj ish-deputetit të PD-së Klevis Balliu i cili bashkë me 12 banorë të Astirit do të merren të pandehur. Ata akuzohen për kundërshtim të forcave të policisë dhe tubim të paligjshëm. Nga Gjykata Penale e Tiranës, Balliu u shpreh se nuk ka prova për dhunë ndaj policisë, ndërsa deklaroi se ky pushtet do të bjerë dhe banorët do të marrin atë që i takon.
"Nuk ka prova për dhunë nga banorët drejt Policisë. Nuk ka asnjë provë as ndaj meje dhe as ndaj banorëve por ata nuk e pushojnë çështjen. Nga ana tjetër nuk kemi asnjë të arrestuar për vjedhje votash. Ky pushtet do të bjerë dhe banorët do marrin atë që i takon. Të shkojmë sot t'i bëjmë me dije kësaj qeverie të korruptuar se koha e tyre ka mbaruar. Ka ardhur koha e qytetarëve shqiptarë dhe ata pushtetarë që i kanë vjedhur ka mbaruar", u shpreh Balliu.Banorët e Astirit të mbështetur nga ish-deputeti demokratit Klevis Balliu, protestuan për rreth një vit kundër projektit të Unazës së re, duke bllokuar për 1 orë çdo pasdite qarkullimin e automjteve. Bllokimi i rrugës është një vepër penale e cila me ndryshimet në Kodin e Ri penal dënohet deri në tre vite burg.