BALLSH- Njëzëri naftëtarët e rafinerisë së Ballshit kanë refuzuar të tërheqin nga llogaria bankare pagën e një muaji të depozituar ditën e sotme, duke u shprehur se nuk do të pranojnë asnjë negociatë pa kaluar tre pagat, të muajve tetor, nëntor dhe dhjetor. Të zemëruar ata janë nisur drejt portës së uzinës ku kanë tentuar të futen me forcë, ku janë ndaluar nga organizatorët e grevës së urisë. Pas një debati mes tyre ata kanë deklaruar se do të rikthehen sërish nesër. Përfaqësuesi i tyre Sokol Duataj thotë se nuk do ta hapin celularin deri në momentin kur do të kenë kaluar të treja pagat, për të negociuar më pas për të ardhmen e rafinerisë. Ai shprehet se pas vdekjes së Artan Voshtinës, kolegut të tyre i cili u përcoll për në banesën e fundit një ditë më parë, zemërimi i naftëtarëve është rritur akoma më shumë.
"Ne ditën e djeshme kemi pasur telefonata për t'i dhënë zgjidhje situatës, por duke qenë se ditën e djeshme ne kemi përcjellë për në banesën e fundit shokun tonë, situata është tejet e agravuar. Gjendja është shumë e acaruar duke mos pasur një zgjidhje konkrete, sepse nuk kërkojmë lëmoshë. Të dyjat palët t'i japin një zgjidhje këtij problemi", thotë Dautaj.
Për të paga e vetme që ka kaluar është thjesht një lëmoshë që do ta refuzojnë për sa kohë nuk përmbushet e gjithë kërkesa e tyre. Ai tregon se prej ditësh në banesat e tyre nuk ka energji elektrike pasi nuk kanë shlyer detyrimet.
"Ne nuk kemi nevojë për një pagë. Kemi kërkuar tetorin, nëntorin dhe dhjetorin, nuk e kemi kërkuar janarin dhe shkurtin. Kemi kërkuar tre muaj dhe ata nuk do të na joshin me një pagë. Nuk do ta tërheqim. Unë mendoj se mesazhi është shumë e qartë. Të gjithë punonjësit në grupet kur flasin kanë halle nga më të ndryshmet. Ka shumë familje pa drita, ka të tjera me borxhe dhe me kredi. Të tjerët kanë fëmijët në shkollë të lartë. Të paktën të mos na ndërpresin dritat. Nuk ulemi ne pa u dhënë tre pagat. As nuk i hapim telefonat. Kemi kërkuar garanci nga shteti. Shteti duhet të ndërhyjë, le ça thonë ata që është privat. Dje kam kontaktuar me Poçemin. Kanë marrë ofertë që nga data 1 mars do i kalojë OSHEE-së, por i mbetet rafinerisë sonë. Nuk e di çfarë do bëhet", thotë përfaqësuesi i naftëtarëve të Ballshit.
Greva vijon në ditën e nëntë të saj, ku naftëtarët vijojnë të mbajnë shiritin e zi në shenjë nderimi për kolegun e tyre të ndjerë. Artan Voshtina ndërroi jetë dy net më parë si pasojë e një ataku në zemër. Ai mori pjesë në tubimin paqësor që u zhvillua në mëngjesin e të dielës në qendër të Ballshit për rreth 30 minuta dhe më pas u kthye në shtëpi. Në mbrëmje zemra e tij ndaloi së punuari.