Autoriteti i Konkurrencës vendos të nisë një procedurë të hetimit të thelluar ndaj kompanisë ?Bankers Petroleum? në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto.
Në njoftim thuhet se objekt i hetimit nuk do të jenë marrëdhëniet kontraktore midis palëve, të cilat bazohen në vullnetin e lirë dhe të plotë të tyre, por vendosja e një konkurrence të lirë dhe efektive në treg, kundrejt çdo subjekti që shkel rregullat.
Shkak për këtë hetim të thelluar është bërë një ankesë ndaj ?Bankers? e kompanisë ?Tosk Energji? në Tetor të vitit të kaluar, e cila ankohej për mosrespektimin e kontratës për furnizim me lëndë të parë të rafinerisë së Ballshit duke abuzuar me pozitën dominuese në treg.
Sapo mori ankesën Autoriteti i Konkurrencës vendosi që palët të respektojnë detyrimet deri në një vendim përfundimtar. Nën hetim u vu periudha nga 1 Janari 2016 deri në 31 Tetor 2019.
?Bankers Petroleum? është prodhuesi më i madh i naftës bruto në vend, por ndër vite nuk kanë munguar përplasjet me rafinerinë e Ballshit. Kjo e fundit thotë se ka disa muaj që nuk punon për shkak të mosfurnizimit me lëndë të parë nga ?Bankers?.
Prej ditësh, një grup punonjësish të rafinerisë janë futur në një grevë urie pasi kërkojnë pagat e prapambetura. Në grevë për pagat janë edhe punonjës të nënstacionit të Poçemit që furnizon me energji rafinerinë e Ballshit, ujësjellësin dhe një pjesë të qytetit.
Mosmarrëveshjet mes ?Bankers? dhe kompanive që kanë në pronësi rafinerinë e Ballshit ka bërë që të 800 punonjësit e uzinës të mbeten 3 muaj pa u paguar.
Tv Klan