Report TV - Takim me tone të ashpra, Meta-Bashës: Dua 10 mijë njerëz në bulevard

Report TV 2020-02-19

Views 0

TIRANE - Një takim i shkurtër, por me tone mjaft të ashpra mësohet të ketë qenë biseda e djeshme mes kreut të shtetit Ilir Meta dhe liderit demokrat Lulzim Basha në Presidencë. Idenë për të thirrur në tubim qytetarët më 2 mars, Meta e ka pasur të qartë para se të dilte këtë të mërkurë në konferencë për ta bërë publike.

Burime konfidenciale thanë ekskluzivisht për Report Tv, se Presidenti i ka kërkuar Bashës mbështetje në këtë aksion të tij kundër qeverisë për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Dhe jo vetëm mbështetje politike, siç kryedemokrati Basha i dha dje publikisht pas takimit me aleatët, por angazhim konkret duke siguruar qytetarë për të dalë në bulevard përpara kryeministrisë.

"Dua nga ty 10 mijë njerëz", i është drejtuar në zyrën e tij Meta Bashës, siç cituan burimet konfidenciale.

Dje kreu i shtetit trazoi sërish ujërat e politikës shqiptare ku përmes takimit me Bashën, kërkoi të përhapë në radhët e opozitës jashtëparlamentare, idenë e një grushti shteti nga ana e qeverisë. Burime nga ky takim, saktësojnë se nga ana e kryeopozitarit pati dilema dhe hezitim për t'i dhënë mbështetje Presidentit për nisjen e reagimi politik sërish me protesta, por megjithatë, u la të kuptohet qartazi refuzimi qoftë edhe me heshtje, përballë toneve të larta nga ana e presidentit. Të njëjtat burime thanë se Basha ka argumentuar se do të qëndrojë "besnik" i kompromisit të arritur për reformën zgjedhore, e cila pritet të miratohet me konsensus nga parlamenti brenda 15 marsit.

"Porosinë" e presidentit, kryedemokrati Basha e përçoi tek aleatët e tij, mes të cilëve edhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, bashkëshorte e presidentit, ku publikisht doli me qëndrimin e njëjtë si Meta, se PO, qeveria po organizon një grusht shteti, jo të formës me tanke e ushtri, por me tentativat sipas tyre, për të kapur Gjykatën Kushtetuese.

Pika që i ndan, janë mjetet me të cilat do ta luftojnë këtë grusht shteti. Meta tha se e ka thirrur popullin, për të 'shpartalluar me dekrete" grushtin e shtetit, (pa specifikuar mënyrën si do ta bëjë konkretisht këtë, por duke lënë të kuptuar shpërndarjen e parlamentit), ndërsa Basha me mjete demokratike (duke përjashtuar mundësinë e rikthimit të protestave), përmes dëgjimit dhe bashkimit të qytetarëve në një zë.

Basha tha dje se do të ketë rotacion politik për të sjellë në pushtet opozitën e bashkuar, por me mjete demokratike.

Share This Video


Download

  
Report form