INSTAT: Përmirësohet tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës, rriten eksportet në janar

Report TV 2020-02-18

Views 0

Muaji janar shënoi rritje të eksporteve dhe ulje të importeve. Ndikimin më të madh pozitiv në rritjen e eksporteve e ka dhënë energjia elektrike dhe po ky tregues ka ndikuar në pakësimin e importeve. Në muajin e parë të vitit ka pasur rritje të shkëmbimeve tregtare me Kosovën por përsëri ato mbeten nën potencial.

Rriten me 5.2% eksportet në muajin e parë të këtij viti krahasuar me janarin e vitit 2019, duke arritur në 23 miliardë lekë, ndërkohë që importet janë ulur me 24% në raport me muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Pavarësisht se importet kanë pësuar rënie ato përsëri mbeten në nivel shumë më të lartë se eksporti pasi vetëm në janar ky i fundit ishte në nivelin 42 miliardë lekë.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 19 mld lekë duke u ulur me 7,1 %, krahasuar me Janarin 2019.

Pozitivisht në rritjen e eksporteve kanë ndikuar lëndët djegëse, energjia elektrike, grupi i materialeve të ndërtimit, si dhe tregtimi i pajisjeve të këmbimit. Ndërsa negativisht ndikuan grupet e tekstileve, këpucëve dhe lëkurës dhe artikuj të tjerë.

Nga ana tjetër, në rënien e importit ka ndikuar direkt situata hidrike në vend pasi vendi ka ulur importet për grupin e minerale, lëndë djegëse, energji elektrike me 3,7%.

Gjatë muajit janar vendi ka ulur në mënyrë drastike eksportet drejt Kinës me 44.7%, por i ka rritur me Spanjën, Kosovën dhe Gjermaninë. Ndërkohë importet më të mëdha vijnë nga Gjermania.

Në raportin e INSTAT vihet re një hendek në tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku, referuar të dhënave, ne kemi tregtuar në Kosovë mallra me vlerë 1.5 miliardë lekë, ndërsa Kosova ka importuar tek ne 464 milionë lekë. Por pavarësisht se ka pasur përmirësime në tregtinë mes vendeve, unifikimi doganor ende mbetet shumë larg.

Share This Video


Download

  
Report form