Në urgjencën e Laçit çdo ditë paraqiten rreth 100 persona për ndihmë mjekësore, një fluks i lartë që përkon për shkak të periudhës së virozave. Urgjenca e Laçit është zhvendosur, për shkak se godina e spitalit është dëmtuar nga tërmeti, ndërsa mjekët shprehen se rastet që janë shfaqur, nuk kanë qenë shqetësuese.
"Sot ka pasur shumë fëmijë me viroza me temperatura të larta, kanë marrë mjekimin, por ilaçe kemi për të trajtuar pacientët. Raste të rralla kanë qenë që i kemi dërguar në Lezhë dhe Tiranë", tha mjekja
Spitali i Laçit do të shembet për shkak të dëmtimeve nga tërmeti, ndërsa personeli i mjekëve të urgjencës është zhvendosur në një Qendër Bamirësie që shërben si repart urgjence. Për rastet e veçuara pacientët dërgohen për trajtime në spitalin Rajonal të Lezhës dhe në rastet më të rënda dërgohen në kryeqytet.
Mjeku i urgjencës Agron Lala tregon për kushtet që janë ofruar pacientëve në këtë Qendër, referuar situatës së gjendjes që po kalon ky shërbim jashtë ambienteve të spitalit. Sipas tij personeli i mjekëve, medikamentet dhe autoambulancat janë në kushte normale, gjë që nuk shfaqen problematika për këtë shërbim.
"Qendra e ofruar pas dëmtimit të spitalit i ka kushtet optimale për të përballuar çdo lloj situate virale. Personeli është i mjaftueshëm, medikamentet dhe analizat funksionojnë si më parë. Duke qenë se jemi në distancë më larg ne jemi në kontakt. Numri i të sëmurëve që paraqitën në urgjencë është rreth 100 persona në 24 orë", tha Agron LALA Mjek Urgjence
Problem për qytetaret mbetet vizita tek mjeket specialistë, pasi klinikat ndodhen të shpërndara në disa zona të qytetit dhe qytetarët janë të painformuar për vendndodhjen e tyre.