Qindra automjete luksoze prodhime të viteve 2015-2020 u janë nënshtruar kontrolleve nga Tirana, Durrësi, Korça, Vlora, Elbasani, Berati e Fieri përgjatë 48 orëve. Nga këto automjete ,37 janë bllokuar dhe janë shoqëruar 134 persona. Në kryeqytet janë vendosur 6 pika kryesore kontrolli që prej mbrëmjes së djeshme vijojnë aksionin deri në një afat të papërcaktuar sipas urdhrit të lëshuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu për ?makinat e luksit?.
Burime për ReportTv bënë me dije se të dhënat e marra nga këto mjete si dhe përdoruesit e tyre do t'i nënshtrohen më pas operacionit "Forca e Ligjit" për të justifikuar blerjet me vlera nga 40-250 mijë euro për automjet.
Leja e qarkullimit, akti i pronësisë, numri i shasisë dhe modifikimet janë disa nga kontrollet që forcat e policisë kryejnë për çdo automjet. Këtij kontrolli i shtohet edhe një kontroll i imtësishëm në brendësi të automjetit. Në rast të konstatimit të mangësive në dokumentacion, automjeti bllokohet, ndërsa të dhënat për rastet e dyshuara i kalojnë Operacionit "Forca e Ligjit".
Ky aksion i ndërmarrë nga Policia e Shtetit vjen në një kohë kur OFL në javën e parë të punës ka lëshuar formularë auto-deklarimi dhe ka sekuestruar pasuritë e disa prej personave të skeduar apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale.