Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka nisur hetimet kryesisht për kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla, i cili sipas Partisë Demokratike, shfaqet në video te publikuar nga ABC News, duke konsumuar kokainë.
SPAK ka sekuestruar pamjet filmike, ku një person shihet në ambientet e një lokali, në pjesën e brendshme të banakut, duke bërë veprime, që sipas selisë blu, tregojnë që Lefter Alla po merr lëndë narkotike.
Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka sekuestruar videon e shfaqur në media dhe ka thirrur për të dhënë deklarime gazetarin Artan Hoxha, që e publikoi atë fillimisht.
Hetimet do të kryhen për veprën penale ?Mbajtje të substancave narkotike?, sipas nenit 283, qe parashikon burg deri në 10 vjet, por jo për rastet e përdorimit.
Vetë Alla i ka mohuar akuzat, duke fajësuar PD se ka bërë një video-montazh. Gjithashtu, ai lajmëroi se do të padisë penalisht ish-deputetin e PD, Ervin Salianji, ndërsa e konsideron videon sërish montazh për ta shantazhuar.
?Dua të sqaroj gjithashtu se ekzistenca e një video-montazhi më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë. Prandaj deklaroj se unë do të pres zbardhjen e çdo vepre penale nga drejtësia. Kushdo që më akuzon mua të presë veprimet e Prokurorisë dhe vendimin përkatës të Gjykatës?.
Partia Demokratike reagoi sërish nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili tha se Kryeministri Rama e ka detyrim ligjor dhe përgjegjësi politike ta shkarkojë menjëherë nga detyra Allën. Sipas tij, reagimi i Lefter Allës për ta paditur Partinë Demokratike, është hilacak dhe qesharak.
Tv Klan