Vetëm pak ditë pasi gjykata e Krujës liroi me kusht të dënuarin me burgim të përjetshëm, Endrit Doklen, një tjetër emër i botës së krimit në kryeqytet, po përgatitet të dalë nga qelitë e burgut të Fushë-Krujës. Genci Ferhati, është i dënuari i radhës me 25 vite burgim që po përgatitet të dalë nga burgu. Ferhati, është dënuar nga gjykata e Tiranës, për atentatin me kundërtank në vitin 1999, duke vrarë Denis Ginën dhe Median Shehun, ngjarje kjo e ndodhur në ish-fushën e druve në Allias.
Veç këtij dënimi, Ferhati, ka dhe një dënim tjetër me 6 vite burgim të dhënë në 6 janar 2017 nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, për akuzën e ?Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë? në dëm të tregtarit të kafesë Julian Bregu. Të dyja këto dënime në ngarkim të Ferhatit janë bashkuar pak vite më parë, në një të vetëm. Genci Ferhati, konsiderohet si i forti i ?Rrugës së Kavajës? dhe miku i Emiljano Shullazit. Prej dhjetorit 2018, Ferhati po ndjek thuajse të njëjtën rrugë ligjore në gjykatën e Krujës, siç dhe veproi dhe fitoi lirinë, anëtari i bandës së Durrësit, Endrit Dokle. Burime pranë gjykatës së Krujës, thanë se Genci Ferhati prej dhjetorit 2018 e deri më tani, ka depozituar 8 kërkesa në gjykatë me objekt ulje dënimi dhe njohje të amnistive të viteve 2012, 2014, 2015 dhe 2016. Veç kërkesave për njohjen e amnistisë, Ferhati ashtu si Dokle ka depozituar një sërë kërkesash në gjykatën e Krujës, për ulje dënimi. Të gjitha kërkesat për ulje dënimi, janë pranuar nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha, e cila fillimisht në dhjetor të 2018 ka pranuar uljen me dy muaj e 10 ditë burgim për Genci Ferhatin. Por, 7 muaj pas këtij vendimi në datën 2 korrik 2019, që njëjta gjyqtare, Enkeleida Hoxha, ka vendosur ti ulë 2 vite e 5 muaj burgim, Ferhatit. Kjo pasi Hoxha, ka vendosur ti pranojë uljen e dënimin me 90 ditë burgim, për 10 vite me radhë, duke filluar për periudhat si më poshtë 1999-2000, 2000 deri 2001, viti 2003, viti 2006, 2007,2008,2009, viti 2016 dhe për periudhën kohore 2017. Ulja e viteve të dënimit për këtë të dënuar ka vijuar edhe në 27 dhjetor 2019, ku gjyqtarja Enkeleida Hoxha ka pranuar ti ulë dënimin me 90 ditë burgim ose 3 muaj. Por pas uljeve dy herë të dënimit, Ferhati, tashmë i është drejtuar gjykatës së Krujës me katër kërkesa për njohjen e amnistisë për vitet 2012, 2014, 2015 dhe 2016.