Arrest me burg do të kërkojë prokuroria për shoferët që shkaktuan aksidentin me 2 të vdekur mesditën e 2 janarit në rrugën e porcelanit në kryeqytet.
Për 31-vjeçarin Etjon Lazri, që udhëtonte me makinën tip Beatle prokuroria do të kërkojë burg pa afat. Sipas hetuesve Lazri ka kryer parakalim të gabuar duke u përplasur me mjetin që drejtohej nga 36-vjeçari Edmond Murati.
Për këtë të fundit prokuroria do të kërkojë arrest me burg me afat, deri sa të mbërrijë akt ekspertimi i plotë. Të arrestuarit do të dalin përballë gjykatës ditën e diel ku do të njihen me masën e sigurisë.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shkak për aksidentin ku humbën jetën 36-vjeçari Erion Balla dhe 72 ?vjeçarja Hidajete Saliu është bërë shpejtësia tej normave të lejuara dhe manovra e gabuar e drejtuesit të mjetit për t?u kthyer në një rrugë dytësorë.
Nga ana tjetër për ekspertët e sigurisë rrugore, sinjalistika në rrugën që të çon drejt Porcelanit e cila sapo është vijëzuar është e paplotë dhe nuk i orienton si duhet drejtuesit e automjeteve që të qarkullojnë pa rrezikuar.
Dy ditë pas aksidentit tragjik, drejtuesit e mjeteve shihen sërish të shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Në këtë segment edhe pse policia thotë se ka marrë masa për parandalimin e aksidenteve dhe lëvizjen e lirshme të mjeteve prezenca e punonjësve të policisë mungon.