Familja e Shkëlqim Barunit, dhe rreth 40 persona të tjerë në qytetin e Krujës, nuk e presin Vitin e Ri 2020 nën strehën e ngrohtë të shtëpisë dhe tryezën e mbushur me gatime të shijshme nga e zonja e shtëpisë. Ata qëndrojnë në palestrën e një shkolle në Krujë, pasi shtëpia e tyre është shpallur e pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Mbi një muaj i vështirë, plogështia e të cilit ndihet edhe më shumë në këtë ditë teksa pjesa tjetër feston dhe pret me gëzim ndërrimin e viteve. Gazetari i Report Tv Andi Kapxhiu, ishte pranë tyre për t'i dhënë zë shqetësimit të tyre, e për të sjellë pranë publikut anën tjetër të këtij fundviti, që ndryshe nga çdo vit i kaluar, nuk i gjen të gjithë shqiptarët me një çati mbi kokë.