Të dashur bashkëqytetarë,
Miq të faqes sime sociale, teksa viti po mbaron, po marr pak prej kohës suaj, për të ndarë me ju një reflektim dhe një urim!Ky që po mbyllet ishte një vit tejet i ngarkuar, me plot momente posaçërisht të vështira që na sprovuan durimin, na lënduan shpresën dhe së fundmi na lëkundën deri edhe tokën nën këmbë.
Tërmeti i 26 nëntorit ishte kulmimi tragjik i këtij viti të vështirë. 51 të vdekur, thuajse 1000 të plagosur, mijëra familje që në më pak se një minutë humbën çatinë mbi krye, dhjetëra mijëra të tjera që lanë shtëpitë në Tiranë e Durrës, nën presionin e ankthit të pashembullt që pllakosi zemrën e Shqipërisë mund të kishin gjunjëzuar këdo, mund ta kishin kthyer vendin tonë, vite e vite të tëra mbrapa.
Duke kaluar ditë e netë të gjata përmes gërmadhave ku kërkoheshin jetë, turmave të njerëzve të mbledhur bashkë nëpër rrugë, në errësirë e në të ftohtë, në korridoret spitaleve, funeralet e viktimave, kampet e përkohshme e më pas në hotelet, banesat me qera e çadrat dimërore, ku sistemuam në kohë rekord mijëra e mijëra të pastrehë nuk mu nda mendimi se mund të kishte qenë edhe më keq, edhe shumë më keq.