Pak ditë më parë është shpallur zyrtarisht tenderi ndërkombëtar për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës. Në dokumentet e bërë publike në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, është listuar edhe studimi i fizibilitetit, i cili më parë, gjatë diskutimeve me konsorciumin turk për të njëjtin objekt, mungonte. Në studimin e fizibilitetit është i parashikuar trafiku ajror i ndarë në tre skenarë kryesorë.
Një prej tyre është skenari bazë, nje skenar tjetër optimist, i cili merr të mirëqenë rritjen e numrit të strukturave turistike në Jug të Shqipërisë dhe tërheqjen e kompanive me kosto të ulët për shkak të politikave nxitëse të aeroportit të ri. Dhe i fundit është skenari pesimist që parashikon mungesën e zhvillimit te kapaciteteve turistike në të njëjtin ritëm me kërkesën turistike në zonë.Të gjithë skenarët paraqesin shifra, të pa-arritura ndonjëherë nga Aeroporti i Rinasit. Kështu, sipas skenarit bazë, numri total i pasagjereve në vend do të rritej deri në 18 milionë në vitin 2048, ndërsa për skenarin optimist në 26 milionë udhëtarë. Por vetëm 10 milionë në skenarin pesimist. Ndërsa vitin 2022, kur është parashikuar në Masterplan që do nisin fluturimet, numri i pasagjerëve është menduar të jetë afro 370 mijë vetë.