Fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama e nisi me një falenderim për kabinetin e tij qeveritar për mënyrën se si kanë përballuar deri më tani situatën e vështirë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit që la pas 51 viktima dhe qindra të plagosur.
Rama: Së pari dëshiroj të shpreh dhe një herë ndjenjën e krenarisë sime për qeverinë që unë drejtoj dhe për shumicën qeverisëse për të gjithë ministrat dhe deputetët dhe kryetarët e bashkive të angazhuar në vijën e parë që në orën e parë në përballimin e pasojave tragjike. Unë nuk e di nëse dikush do të kishte imagjinuar se qeveria e Shqipërisë do të arrinte të bënte atë që bëri. Në kushtet e një befasie të jashtëzakonshme ku mijëra njerëz u gjetën në rrugë. Në Shqipëri ka pasur fatkeqësi natyrore dhe njerëzit janë kalbur rrugëve nëpër çadra dhe janë harruar. 4 mijë e 132 persona, njerëz të kategorive të ndryshme sociale janë akomoduar në hotele që për standardet e Shqipërisë janë hotele luksi. Për 6178 persona në fshat që e kanë të vështirë dhe të pamundur të lëvizin nga trualli i shtëpisë. Vazhdon procesi i plotësimit të nevojave për çadrat dimërore. Mjafton te shihet tabela e përkujdesjes specifike shëndetësore për të gjithë këta njerëz për të kuptuar çfarë kapërcimi epokal në adresimin nga ana e shtetit të nevojave të njerëzve të goditur nga një fatkeqësi natyrore.
Ka nisur puna për planet e reja të zhvilimit. Falë solidaritetit të madh shqiptar janë grumbulluar fonde të konsiderueshme. Shumë shpejt do shihet transformimi tërësor urban dhe social që nga plaga e madhe e krijuar në Thumanë deri tek shtëpia më e largët e familjes që është në rrezen e përcaktuar nga kufijtë e gjendjes së jashtëzakonshme. Me një grup arkitektësh të huaj dhe me shumë ekspertë shqiptarë do vijojë puna për te ndërtuar. Thumana e nesërme nuk do të ngjajë në asgjë me Thumanën para 26 nëntorit. Banorët do të jetojnë në një zonë që nga pikëpamja urbane do të jetë një shembull që do të rrezatojë fuqinë e vizionit dhe vullnetit tonë përtej Shqipërisë. Do të jemi këtu në vitin 2020 ku do t'i shihni të verifikuara.