Prokurori i Apelit Shkodër, Arben Dollapaj, njëherazi dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, doli sot para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Dollapaj kaloi shkallën e parë të vettingut, por Komisioneri Publik e ankimoi vendimin, duke kërkuar edhe një herë hetim të pasurisë së tij, si dhe shkarkimin nga detyra. Në seancën e sotme, Komisioneri Publik tha se subjekti i rivlerësimit, Arben Dollapaj ka tri pasuri të paluajtshme, një apartament në Bajram Curri, një shtëpi në Valbonë dhe një shtëpi në Selitë, në Tiranë.
Komisioneri Publik i kërkoi KPA-së një hetim më të thelluat për dy banesa, atë në Valbonë, si dhe banesën tjetër në Selitë. Kjo, pasi sipas Komisionerit Publik, KPK nuk ka kryer hetim të thelluar dhe se për Dollapajn kanë ardhur ankesa nga publiku pas vendimit për konfirmimin e tij.Në parashtrimet e tij, Komisioneri Publik tha se shtëpia në Valbonë e deklaruar si shtëpi banimi, sipas denoncuesve është ndërtesë e përshtatur për hoteleri për shkak edhe të zonës turistike ku ndodhet, gjë kjo e cila u hodh poshtë nga prokurori Dollapaj. Ndërsa për banesën në zonën e Selitës e cila është blerë 3.9 milionë lekë, Komisioneri Publik tha se banesa kap vlerën e 5 milionëve, dhe për këtë gjë ka dyshime se çmimi mund të jetë favorizues. Dollapaj, nëpërmjet avokatit të tij Viktor Gumi tha se këtë banesë vëllai i tij e ka blerë tek një shtetas kosovarë, ku ky i fundit e ka ndërtuar në vitet 93? dhe vlera shkon në 2.6 milionë lekë, duke deklaruar se kjo banesë është blerë më shtrenjtë se vlera reale.
Ndërkohë, në dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe anës profesionale, prokurori Dollapaj doli i pastër. Prokurori Dollapaj u transferua në Shkodër në kohën që në krye të organit të akuzës ishte Adriarik Llalla me të cilin pati përplasje. Dollapaj ka pasur në shqyrtim disa nga çështjet më të rëndësishme, si ?Banda e Lushnjes?, ?Gërdeci? ku kërkoi rrëzimin e vendimeve të Shkallës së Parë dhe burgosjen e të pandehurve.