TIRANE-Mësimi në shkollat e Tiranës, Durrësit, Vorës dhe Kurbinit do të rifillojë në datë 9 Dhjetor, ndërsa në bashkitë Lezhë, Mirditë dhe Rrogozhinë nesër rifillon normalisht, pasi nuk ka rrezik nga godinat. Ministrja e Arsimit Besa Shahini u shpreh se përsa i përket fëmijëve që janë zhvendosur në hotele, ka filluar edhe themelimi i shkollave të përkohshme në këto godina deri në një tjetër zgjidhje. Në Tiranë sipas ministres nuk do të ketë asnjë shkollë tjetër që do të shembet përveç asaj në Pezë, ndërsa do të prishen edhe disa në Durrës, Thumanë dhe Vorë. Gjithashtu Shahini njoftoi se e hëna tjetër nuk do të bëhet pushim për shkak të 8 Dhjetorit për shkak të orëve që humbura të mësimit. Nga tërmeti janë prekur 4800 nxënës, nga të cilët 450 janë zhvendosur te të afërmit duke rifilluar mësimin, ndërsa për pjesën tjetër mësimi do të jepet pranë hoteleve ku janë akomoduar. Gjithashtu ministrja tha se nga tërmeti janë prekur edhe 650 mësues.