Janë shtatë ndërtesat në Durrës dhe tre ato në Thumanë krejtësisht të shembura për shkak të tërmetit të 26 nëntorit. Në pritje që institucionet të përfundojnë monitorimin e qindra pallateve dhe banesave të tjera që u dëmtuan, por që, duke qenë se nuk u shembën krejtësisht, nuk shkaktuan viktima, emisioni investigativ ?Pa Gjurmë? i cili do të transmetohet sonte në Report TV, ka hedhur dritë mbi historinë e këtyre 10 ndërtesave të mallkuara, shumë prej të cilave të ndërtuara në mënyrë abuzive dhe në shkelje të ligjit. Pallatet e ndërtuara sipas rregullave, në fakt, janë projektuar për të përballuar tërmete deri në 7-8 ballë, një rregull ky, që është respektuar në përgjithësi në Shqipëri dhe kjo shpjegon përse tërmeti i 26 nëntorit, si dhe ai i shtatorit, nuk sollën një bilanc edhe më dramatik.
1) Hotel Miramare Durrës: Sikurse ka zbuluar gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno, hoteli krejtësisht i shembur ishte ndërtuar në vitet 1998-1999 në zonën e plazhit. Në fillim u ndërtua me dy kate, pastaj, me një seri ndërhyrjesh abuzive, nisi të merrte lartësi. Në vitin 2001 policia ndërhyri për të bllokuar një kat shtesë pa leje, por pastaj shteti e harroi problemin dhe në momentin e shembjes hoteli ishte bërë me 6 kate. Por themelet ishin parashikuar për vetëm dy kate dhe nuk mundën të mbajnë peshën kur erdhi lëkundja, që shembi gjithshka. Në këtë godinë humbën jetën dy persona, balerina dhe baristi.
2) Pallati 5 kate + 1 papafingo Lagja 16 (stadiumi) - Durrës: ndërtesa u bë vetëm për familjen e Perikli Konomit në vitet 1994-1996. Në të banonte familja Konomi dhe tri familje që kishin marrë me qira tre apartamente. Por ka dyshime se ndërtesa ishte projektuar pa konsulencën e ekspertëve dhe pa respektuar normat e kërkuara teknike e për këtë arsye nuk e përballoi lëkundjen. U shuan dy familje, 7 persona.
3) Pallati 6 kate "2 Gjelat"- Lagja 5 Durrës : pallati u ndërtua në vitin 1986 me punë vullnetare nga Ndërmarrja e Ujrave, në kohën e regjimit komunist. Ka mundësi që ndërtesa të ketë patur difekte strukturore, siç ndodhte shpesh në zbatimin e punimeve ?vullnetare?, në të cilat detyroheshin të punonin studentë e punëtorë: përdorimi i fuqisë punëtore pa përvojë shpesh prodhonte ?pallate? të ndërtuara keq dhe për këtë arsye u mungonte edhe siguria e duhur. Kollonat mbajtëse nuk e kanë përballuar lëkundjen dhe një kat i pallatit u fundos, prej çfarë e pësoi vetëm kush banonte në katin e parë. Sipas gazetarit Arsen Rusta, një nga kolonat e pallatit është hequr nga disa persona për të krijuar hapësirë për një lokal. Në këtë pallat vdiqën 2 gra