Kryeministri Edi Rama u shpreh se në makinën e prokurorit Arjan Ndoja që ju bë atentat teksa ndodhej në makinë me një person me precedentë penalë, Landi Muharremin, ishin dosjet e vjedhura nga Prokuroria e Durrësit, që deri dje kampi kundërshtar politik ja faturonte kryeprokurores së Krimeve të Rënda Donila Prela.
"Rasti i Durrësit është flagrant, për fat të mirë e solli rastësia, që u gjendën në një makinë bashkë, prokurori dhe një nga eksponentët e krimit të organizuar. Dhe në bagazhin e makinës dokumentet e vjedhura të prokurorisë, ato që për një kohë të gjatë, i vendoseshin nga fronti kundër reformës në drejtësi në kurriz Donika Prelës. Ndërkohë u gjendën në atë makinë. Cfarë duhet të bëjmë ne? Të presim vettingun e tyre? Ku për shkak të këtij sistemi drejtësie dhe fakti që kriminelët i kanë shpatullat e ngrohta ka një paturpësi ekstreme, mungesë ekstreme frike jo e jo, por edhe mungese për të fshehur gjurmë. Ç'mund të bëjmë ne kur një kriminel merr peng Hipotekën e Vlorës dhe policia nuk vepron për shkak se gjykata dhe prokuroria thjesht nuk vepron", tha kryeministri.