TIRANE-Komisioni i Posaçëm Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta zhvilloi sot mbledhjen e radhës. Komisioni administroi raportin e Komisionit të Venecias, që theksonte se Meta tejkaloi kompetencat, por shkelja nuk është aq e rëndë sa Presidenti të shkarkohet. Gjithashtu u shqyrtua edhe raporti sekret nga SHISH, ku kreu i shtetit deklaroi se u bazua për të anuluar me dekret zgjedhjet e 30 Qershorit.
Mbledhja ku anëtarët u njohën me dokumentin e SHISH-it u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar. Nënkryetari i Komisionit Hetimor, Alban Zeneli u shpreh se tashmë ka ardhur koha që të merret një vendim duke qenë se të gjitha informacionet për veprimet e Metës janë mbi tryezë.I të njëjtit mendim ishte edhe kryetari Ulsi Manja. "Ne jemi drejt fundit" tha ai. Ndërkohë që nuk u mor asnjë vendim mbi shtyrjen e afatit të këtij komisioni. Në përfundim mbledhja është mbyllur pa një vendim, teksa e radhës është vendosur në datë 5 dhjetor.