TIRANE-Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me 21 vite burg për Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë "Arbi Garden" në kontenierët e së cilës bashkë me bananet u zbuluan nga policia 613 kilogramë kokainë. Por duke qenë se gjykimi ishte i shkurtuar, nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë për 21 vite burg, Çekaj do të vuajë vetëm 14, pasi ulet 1/3. Për shoferin Armando Pezakun u kërkuan 13 vite burg (me gjykim të shkurtuar 8.8 vite), ndërsa për menaxherin e kompanisë Donaldo Lushaj u kërkuan 14 vite, me gjykim të shkurtuar 10.8 vite, gjithmonë nëse pranohet kjo masë dënimi nga gjykata, raporton gazetari i Report TV, Arsen Rusta.Prokurori i dosjes Edvin Kondili gjatë leximit të pretencës akuzoi se Çekaj është organizatori i grupit kriminal të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri. Nga hetimet ka rezultuar "Arbër Çekaj është organizator i grupit kriminal. Kontenieri i kokainës u fut në servis në Kolumbi me përshkrimin se u vendosën 11 vida. Nga Kolumbia kontenieri me drogë e banane shkoi në Livorno Itali ku u kontrollua por italianët se gjetën drogën. Me pas kontenieri shkoi në portin e Maltës dhe më 25 shkurt 2018 erdhi në Durrës".
Kondili vijoi më tej duke theksuar se Çekaj dyshohet edhe për një tjetër sasi prej 90 kg kokaonë që u kap në Kolumbi. "Arbër Çekaj është i dyshuar edhe për 90 kokainë të kapur në Kolumbi në 2015. Çekaj iku me 25 shkurt 2018 nga pika kufitare Vernicës dhe u fsheh në Kosovë dhe më pas iku në Gjermani. Çekaj bisedoi me Lushajn se cfarë gjeti antidroga në kontenier në Durrës" tha ai, referuar sasinë prej 613 kg kokainë që u sekuestrua në Maminas. Prokurori i cështjes deklaroi se fillimisht Çekaj pranoi që të bashkëpunonte duke marrë statusin, por më pas u tërhoq. "Fillimisht Çekaj deklaroi se do të bashkëpunonte duke marrë status më pas u tërhoq".
Ndërkohë që vetë Çekaj ka mohuar akuzat e prokurorisë duke akuzuar se po fshihen autorët e vërtetë të trafikut të kokainës. "Prokuroria shpiku grupin kriminal për të fshehur autorët e vërtetë të trafikut" tha ai në sallën e gjyqit. Seanca e radhës te Krimet e Rënda për Arbër Çekajn është në datën 5 dhjetor. Në shkurt të dy viteve më parë në një operacion me Doganat, Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtar në kontenierin me banane që vinte nga Kolumbia për llogari të ?Arbër Garden? u sekuestruan 613 kg kokainë. Pronari i kompanisë Çekaj u arratis në Gjermani ku kërkoi edhe azil, por u ekstradua drejt Shqipërisë pak muaj më parë për të përballuar me drejtësinë shqiptare, ndërsa sot u dha vendimi për masën e dënimit.