TIRANË - Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka zbuluar se cilat janë ndërhyrjet që qeveria do të bëjë në ligjin e dekriminalizimit, për të shmangur kështu përsëritjen e rasteve të kryebashkiakëve që u shkarkuan nga detyra pasi dolën të kishin gënjyer në formularët e vetëdeklarimit. Kreu i qeverisë tha se të gjitha listat e partive me kandidatë do t'i dorëzohen para fushatës elektorale policisë dhe prokurorisë për të bërë verifikimet. Kështu, listat nuk do të jenë më vetëm në dorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që pas dyshimeve çonte për verifikim formularë në Task-Forcën e dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Në një prononcim për gazetarët nga selia e Partisë Socialiste këtë të shtunë ku anëtarët e partisë zgjedhin 706 delegatët e Kongretit në të gjithë Shqipërinë, nga 149 kandidatë përmes parimit një anëtarë një votë, kreu i qeverisë zgjodhi të mos i kushtojë rëndësi situatës së ngërçit në Gjykatën Kushtetuese duke thënë se është konflikt i një personi që është radhitur në anën e gabuar të historisë, Presidentit Ilir Meta.