Kandidati per kryeprokuror: Kemi qene te ashper me njerezit e pambrojtur

RTV KLAN 2019-11-15

Views 6

Olsian Çela, kandidati për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, rritjen e kriminalitetit ndër vite e sheh tek politikat penale që aplikohen.

Në seancën dëgjimore me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Çela theksoi se masat ekstreme të arrestit me burg, në shumë raste nuk është e nevojshme që të aplikohen. Ndaj personave të ndaluar që janë nën hetim apo ndaj të dënuarve, Olsian Çela thotë se është e rëndësishme që të jepen edhe dënime alternative.

Kandidati për kryeprokuror theksoi gjithashtu se në mjaft raste, prokurorët dhe gjyqtarët kanë qenë të ashpër me vendimet ndaj shtresave më të dobëta apo qytetarëve të pambrojtur.

?Do doja shumë që të dëgjoja ose të ngriheshin probleme nga kushdo, nga shoqatat, nga Dhomat e Avokatisë, nga ekspertë të fushës, të dilnin dhe të thonin çfarë kemi bërë ne gjithë këto vite? Pse kriminaliteti është në rritje? Pse nuk kanë efekt masat që ne marrim? Sepse kam vënë re që deri më sot e lidhim me mungesën e efiçensës së organeve të drejtësisë. Problemet i ka Prokuroria, problemet i ka policia gjyqësore, problemet i ka gjykata. Këto kanë pjesën e tyre. Por unë mendoj që problemet shtrihen përtej. Shtrihen tek ato që them politikat penale. Keni dëgjuar ndonjë rast ku përveç ashpërsimit të dënimeve të ketë ndonjë politikë tjetër penale në Republikën e Shqipërisë? Këto masa dënimi të ashpra na kanë dhënë ne rezultatet e pritura? A mendohet ndonjëherë që ne i japim vend e pavend ekstreme çfarë pasojash shkaktojnë tek familjet e atyre të cilët izolohen? A ka qenë e domosdoshme vërtetë që prokurori të shkojë të kërkojë masa ekstreme në çdo rast? A mendojmë ne ndonjëherë që ai njeri i cili ka bërë një vepër penal me të cilën mund të hetohet dhe pa shkuar në burg, ka një punë, ka një familje, ka fëmijë të cilët ngelen pa mbështetje? Ata fëmijët e atij njeriu që dënohet me burg kur ndoshta mund të aplikoheshin dhe metoda alternative të dënimit, si do jetojnë? Do jenë në rrugë? Çfarë do bëjnë për të jetuar? Ne nuk jemi një shoqëri e pasur. Ne duhet të marrim në konsideratë që aplikimi i ligjeve penale nuk duhet të cënojë thelbin, familjen. Ne duke qenë të ashpër, përgjithësisht kemi qenë të ashpër me shtresat e dobëta me njerëzit e pambrojtur, ne thellojmë problemet sociale. Dhe duke thelluar problemet sociale, ne përgatisim breza të rinj që janë në rrugë sot dhe nuk kanë të ardhme dhe që nesër janë fidanishtet e krimit?, u shpreh Olsian Çela.

Share This Video


Download

  
Report form