TIRANE-Socialistët i kërkojnë Lulzim Bashës që të lerë akuzat kundër shumicës, por të përballet me drejtësinë në gjykatë për dosjen e lobimit. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i pyetur nga gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri u shpreh se lideri demokrat të mos i ikë drejtësisë si në rastin e Rrugës së Kombit me raport mjekësor.
"Lulzim Basha tashmë në duart e drejtësisë, uroj që këtë radhë të mos i ikë drejtësisë me raport mjekësor, por si cdo qytetar të përballet me drejtësinë. Të sqarojë akuzat që ka ngritur prokuroria dhe të përballet me drejtësinë".Akuzat e Bashës kundër Ramës dhe shumicës për kapje të drejtësisë, Manja i cilëson si rrugë për ti shpëtuar drejtësisë. "Këtë ka bërë për herë Basha, po në kohën kur ishte i akuzuar për Rrugën e Kombit drejtësia në duart e Ramës ishte? Në atë kohë me raport mjekësor i iku drejtësisë, por tanimë reformën e re nga i pari i shtetit te qytetari i fundit duhet të jemi të barabartë para ligjit. Këtë duhet të bëjë Basha dhe ky është mesazhi më i mirë që Basha si kryetar i opozitës që është në rrugë i jep shqiptarëve" tha Manja.
Për Vasilika Hysin, jo vetëm Basha, por cdo zyrtar që ka abuzuar me pushtetin duhet të përballet me drejtësinë e re. "Cdo person është përgjegjës për sjelljet e tij, dhe për të gjitha gabimet dhe fajet që ka bërë është zoti Basha. Për cfarë e bën përgjegjës shumicën? Në ka një vlerë PS-ja mes të tjerave, është që në programin e saj vendosi të bëjë reformën në drejtësi. Dhe këtë nuk e bëri qeveria, por parlamenti dhe vetë partia e Bashës, që mori pjesë dhe u votua me votat e të gjithëve. Ajo reformë u votua me votat e të gjithëve dhe është ajo drejtësi e pavarur që uroj të bëjë drejtësi jo vetëm për Bashën por për këdo që ka abuzuar me pushtetin" tha Hysi.
Ndërkohë që për ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj nuk ia vlen të merresh me Lulzim Bashën duke e injoruar. "Vetëm për Lulzim Bashën mos më bëni pyetje se nuk ia vlen. Nuk ia vlen të jap përgjigje për Lulzim Bashën" u shpreh Xhafaj.
Prokuroria e Tiranës mori të pandehur kreun e opozitës Lulzim Basha për dosjen e lobimit me para ruse në SHBA në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, dhe i kërkon gjykatës të caktojë datën e gjyqit për Bashën, Arben Ristanin dhe financierin e PD Ilir Dervishin. Sipas njoftimit të siguruar nga Report Tv, Basha është i pandehur vetëm për falsifikim formulari në lidhje me deklarimet e shpenzimeve pranë KQZ, ndërsa akuza e ?Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", ka rënë.