Talk show i ri nën drejtimin e moderatores, Mirela Milori nisi sot puntatën e tij të parë në TV Klan. ?Historia ime? do të sjellë për shikuesit, aktualitet dhe tematika të ditës, investigime që shkojnë përtej lajmeve të kronikave, rrëfime njerëzore dhe të vërteta. Ky format do të ofrojë për publikun histori, të cilat do të identifikohen me problematika dhe tematika të ndryshme. Opinonet dhe reflektimet e ekspertëve të fushës së psikologjisë dhe asaj ligjore nuk do të mungojnë në interpretimin e çdo rasti që do të trajtohet në program.
Historia e parë e përcjellë ishte një denoncim i fortë, i një avokateje të njohur në Tiranë, Denisa Daka. Ajo solli një pjesë të realitetit, pikërisht atë të ngacmimeve seksuale në punë. Një vajzë ka trokitur në derën e saj dhe ka treguar historinë e ndjeshme dhe prekëse të jetës së saj. Vajza ishte shantazhuar prej muajsh nga punëdhënësi i saj. I duhej të punonte dhe studionte njëkohësisht, pasi familja nuk mund ta suportonte financiarisht.
Gjatë rrëfimit të saj për avokaten, ajo i kishte treguar se punëdhënësi i saj, babai i tre fëmijëve prej muajsh, i kërkonte pareshtrur që krahas punës të plotësonte dhe dëshirat e tij seksuale, për të mund të siguruar pagën aty. Si rezultat i këtij shantazhi, e reja vendos të braktisë vendin e punës, që ishte njëkohësisht dhe mundësia e vetme për të mbijetuar këtu në Tiranë.
Kërkoi të niste një proçes gjyqësor kundër punëdhënësit të saj, por kur u njoh me proçedurat që do të ndiqeshin kundra tij, e frikësuar nga pasojat u tërhoq të vijonte betejën ligjore.
Të folur për këtë histori të ndjeshme ka qenë e ftuar, avokatja Denisa Daka që bëri publik rastin përmes rrjeteve sociale dhe drejtoresha e Urdhërit të Psikologut, Valbona Treska.