TIRANE-SHBA, BE dhe OSBE u bëjnë apel të gjithë magjistratëve të diplomuar, gjyqtarë dhe prokurorë që të mbajnë sytë hapur kundër pabarazisë dhe korrupsionit për t'i luftuar. Gjatë aktivitetit që u zhvillua sot te godina e 'Polit të Drejtësisë' për diplomimin e magjistratëve që përfunduan studimet në programin e formimit fillestar gjatë periudhës 2016-2019, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Leyla Moses-Ones në Tiranë tha se Amerika nuk do të ndalet së mbështeturi Shqipërinë për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca e inkurajoi gjeneratën e re të prokurorëve dhe gjyqtarëve duke i krahasuar me doktorët që shërojnë plagët. Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt tha gjatë fjalës së tij se gjyqtarët dhe prokurorët e rinj po diplomohen në momentet kur pritet që të ngrihen edhe institucionet e reja të drejtësisë si SPAK dhe BKH, që janë thelbësore për të ardhmen e vendit. Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku theksoi se brezi i ri do të përmirësojë imazhin e vendit, pasi sistemi është në reformim. "Sistemi është në reformim të thellë dhe vështirësitë në punë janë shumë të mëdha, por unë jam e bindur se do ia dilni dhe se do të ndikoni në përmirësimin e imazhit të sistemit të drejtësisë dhe të Shqipërisë" deklaroi ajo.