U raportua fillimisht si vdekje aksidentale, por Policia e Vlorës bën të ditur se Stavri Mino është dhunuar fizikisht për vdekje. Për këtë ngjarje janë arrestuar të tre personat që u përfshinë në konflikt me viktimën.
Të prangosurit Astrit Hameti, Nusret Hoda dhe Agron Hameti do të përballen me akuzën vrasje me dashje. Në deklaraten per shtyp të Policisë së Vlorës, thuhet se këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë goditur fizikisht 56-vjeçarin, i cili për pasojë gjeti vdekjen.
Në njoftimin e parë të policisë, menjëherë pas ngjarjes, bëhej e ditur se ?pas një konflikti midis disa personave, njëri prej tyre ra në tokë pa ndjenja duke ndërruar jetë. Viktima nuk ka shenja dhune të dukshme?.
Por pas ekspertizës mjeko-ligjore u zbulua e vërteta. Në trupin e viktimës janë konstatuar shenja dhune duke sjellë arrestimin e tre personave. Mendohet se konflikti mes tyre ndodhi pasditen e së dielës në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë.
Dyshohet se shkak per konfliktin mes tyre është bërë një çështje pronësie. Viktima ndërhyri për të shmangur sherrin mes tre të arrestuarve dhe vëllait, por në këtë moment u sulmua me grushte dhe sende të forta duke gjetur vdekjen.