Ekstradohet drejt Shqipërisë Arbër Çekaj, pronari i kontenierit me 613 kg kokainë.
Zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, në deklaratë për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar
Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, krimit të organizuar dhe terrorizmit, në parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, si dhe për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.
Për të përmbushur këto prioritete, Policia e Shtetit është fokusuar dhe ka forcuar bashkëpunimin me dy nga aleatët më kryesorë të saj, me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Falë punës dhe angazhimit të shërbimeve të policisë, prej 1 janarit deri sot, janë kapur dhe ndalur 1 187 persona të shpallur në kërkim kombëtar, për vepra të ndryshme penale, konkretisht:
? 77 persona të kërkuar për krime të rënda kundër personit dhe pronës, si vrasje, rrëmbim personi dhe shkatërrim të pronës me eksploziv.
? 100 persona për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike dhe 37 për trafiqe të paligjshme.
? 154 persona për krime në fushën e krimit ekonomik e financiar, si pastrim parash, korrupsion dhe krime kompjuterike.
? 110 persona për dhunë në familje, 709 persona për krime kundër personit, pronës dhe për krime mjedisore.
Vlen të theksohet se falë bashkëpunimit me qytetarët, gjatë kësaj periudhe janë ndaluar 259 persona të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale, ndër ta edhe persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Njëkohësisht, po gjatë kësaj periudhe nga Interpol Tirana në bashkëpunim me strukturat e Policisë në qarqe dhe në disa raste edhe me partnerët ndërkombëtarë janë kapur dhe arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimi, 129 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga këta: 99 shtetas shqiptarë dhe 30 shtetas të huaj, nga të cilët deri tani janë ekstraduar 60 shtetas (39 janë shtetas shqiptarë dhe 21 janë shtetas të huaj) dhe vijojnë procedurat për ekstradimin edhe të personave të tjerë të kapur dhe arrestuar.