TIRANË - Lideri demokrat Lulzim Basha ka bërë sot premtime 'elektorale' duke deklaruar se në 6 mujorin e parë të qeverisjes së PD paga minimale e punonjësve do të rritet në 300 euro ndërsa në katër vitet e para të qeverisjes ajo do të bëhet 400 euro.
"Në ekonominë tonë të shkatërruar, me zgjedhjet tona farsë, me drejtësinë inekzistente, me krimin dhe bandat, ëndrrat për BE në vend që të afrohen largohen çdo ditë. Kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë dështuar. Në vend të progresit kemi prapakthehu. Në vend të zgjidhjeve ky kryeministër sjell më shumë probleme. Në vend të luftës kundër korrupsionit e ka kthyer korrupsionin në normë. Shqiptarët janë një popull i talentuar, punëtor dhe me kushtet e duhura të punësimit dhe me një qeveri që ndihmon punëtorët ne jo vetëm mund t'ia dalim por mund të kapërcejmë edhe pritshmëritë. Na duhet një plan i ri, një mision se si të dalim nga ky kolaps. PD e ka këtë plan dhe së bashku me ekspertët tanë më të mirë ne po bëjmë gati shpalosjen e këtij plani, ku bashkëpunëtor është edhe bashkimi i sindikatave të pavarura të Shqipërisë. Të drejtat e punëtorëve janë e drejta themelore e njeriut. Ne kemi një program për hapjen e vendeve të reja të punës, kthimin e investimeve të huaja. Kemi në plan rikthimin e taksës së sheshtë së bashkë me masat e tjera. Askush në këtë sallë nuk duhet të ketë asnjë dyshim. PD është një parti që beson tek ekonomia, e drejta e punëmarrësve dhe mbrojtja e tyre si themeli i suksesit të një ekonomie tregu. Sot dua ta them qartë dhe publikisht përkushtimin tonë të parë vendimin e PD për të kaluar brenda 6-mujorit të parë të qeverisjes sonë për të kaluar pagën minimale në nivelin 300 eurove dhe brenda 4 viteve të para në nivelin e 400 eurove.