Kryeministri Edi Rama ka shkuar këtë të premte për inspektimin e punimeve në rrugën e Lumit të Vlorë, duke paralajmëruar se kur gjithçka të ketë përfunduar, do të zbulohet një thesat natyror i pashkelur më parë. Kreu i qeverisë ka postuar një video në rrjetet sociale, nga pjesa e përfunduar e rrugës, teksa udhëton në zonën e Lumit të Vlorës.
"Rruga e re (dhe e shumëpritur prej dekadash e Lumit të Vlorës). Çfarë thesari natyror do të zbuloni në këtë zonë të pashkelur kur të përfundojë", shkruan Rama.
Projekti lidh fshatrat e kësaj zone me pjesën tjetër të vendit dhe del në zemër të bregdetit jonian.
Rruga e Lumit të Vlorës, 94 km fillon nga Bypass i Vlorës ? Peshkëpi ? Ura e Gjormit ? Brataj ?Ura e Kudhësit- Qeparo, degëzimi për në fshatin Kuç, si dhe segmenti nga Rreth-rrotullimi i Peshkëpisë ? Selenicë ? superstrada Levan -Tepelenë. Ky aks përshkon fshatrat Peshkëpi, Kote, Gjorm, Lepenicë, Kallarat, Brataj, Kuç, Kudhës dhe përfundon në Qeparo.
Popullsia e zonës arrin në mbi 40,000 banorë dhe përbën rreth 16% të të gjithë popullsisë së Qarkut të Vlorës. Në zonën në fjalë ka më shumë se 60 fshatra me një dendësi të madhe popullsie dhe veçanërisht moshë të re.
Përveçse siguron lidhjen e këtyre fshatrave me Vlorën dhe bregdetin duke nxitur mundësi të reja për zhvillimin e bujqësisë e agroturzimit, panorama fantastike që shoqëron përgjatë të gjithë rrugës pritet të nxisë zhvillimin e aktiviteteve sportive si trekking dhe ecje me biçikileta, të cilat eventualisht mund të sjellin transformimin e të gjithë luginës në atraksion turistik.