I njohur si qarku më i varfër në të gjithë vendin, Kukësi duket se është gjunjëzuar para numrit të madh të familjeve që jetojnë në mjerim. Realitetin e shumë prej tyre e përcjellin këto tre familje në fshatin Orgjost të Kukësit.
Peshën më të madhe për të shtruar dicka në tryezë e kanë gratë kryefamiljare. Përveç betejës për të siguruar një vakt bukë për familjarët, shumë prej anëtarëve lëngojnë prej dhimbjeve nga sëmundjet e rënda. 6 pjesëtarë të familjes Murati jetojnë në kushte ekstreme të varfërisë ku zonjës së shtëpisë i duhet të kujdeset edhe për djalin 25 vjeçar që prej vitesh është me aftësi të kufizuara. Ajo na tregon se barra e familjes rëndon mbi të, në një kohë kur i vetmi burim finaciar i familjes është pensioni i djalit dhe puna sezonale në Kosovë e bashkëshortit të saj.