TIRANE - Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se dosja 184 ku dyshimet janë fokusuar në vjedhje të votave në zgjedhjet e pjeshme për Bashkinë e Dibrës në 2016-ën, po lihet "jetime" me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Në një deklaratë për mediat që mbajti pas takimit që pati në selinë blu me ambasadorin e ri gjerman në vendin tonë, Peter Zingraf, kryedemokrati tha se janë prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, dhe kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donila Prela, ato të cilat sipas Bashës kanë vendosur të sakrifikojnë karrierën e tyre dhe të rrezikojnë burgun, për shpërdorim detyre. Kryetari i opozitës joparlamentare tha se kryeprokuroret duhet të ndiqen penalisht, teksa i etiketoi ato si "Katicat e Shqipërisë", duke ju referuar arrestimit për korrupsion në Maqedoninë e Veriut të Prokurores Speciale Katica Janeva.
Në një komunikim për gazetarët, lideri i PD-së tha se e vetmja zgjidhje për t'i dhënë fund krizës politike me një qeverisje sipas tij të kapur nga krimi, janë zgjedhjet përmes një qeverie tranzitore të pakapur nga kupola e krimit.