TIRANË-Në kuadër të luftës kundër informalitetit, janë bllokuar 500 mijë litra birrë në një fabrikë me vendndodhje në Kashar. Shkak për këtë janë bërë detyrime akcize të papaguara në shumën rreth 17.6 milionë lekësh.
Për pasojë, kjo fabrikë është gjobitur 70 milionë lekë, pasi hedhja për konsum e kësaj sasie birre, pa paguar detyrimet e akcizës, sipas ligjit, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me 3-fishin e detyrimeve të akcizës që duheshin paguar.
E pranishme në këtë kontroll ka qenë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila paralajmëroi të gjitha subjektet e tjera të kësaj natyre, por jo vetëm që të evidentojnë të gjithë mallin që kanë në magazina brenda një regjimi fiskal, në të kundërtën do të kenë të njëjtin fat.
"Evidenca e 70 mln lekëve që duhet të jenë të paguara nga subjekti janë pjesë jo vetëm e detyrimeve, por edhe 3-fish gjobë. Kjo shumë nuk justifikon asnjë model biznesi. Evidentoni të gjithë mallin brenda një regjimi fiskal. Çdo magazinë fiskale do të kontrollohet, duke filluar nga ato më të voglat tek ato më të mëdha", u shpreh Denaj.
Javën e fundit Ministria e Financave dhe ajo e Turizmit kanë ndërmarrë një sërë aksionesh, në përfundim të së cilave u arrit pastrimi i bregdetit shqiptar nga uzurpimi që disa pronarë biznesesh kishin bërë duke vendosur shezllong në ato hapësira që janë publike. Ndërkohë, po në kuadër të këtij operacioni është mbyllur edhe një nga komplekset më të famshme në Tiranë, Taivani pasi nuk ka pajisur me kupon tatimorë klientët.