SHKODËR - Gjykata e Shkodrës mori sot vendimin për t'i vërtetuar mandatin Valdrin Pjetrit, si kryetar i Bashkisë së Shkodër i zgjedhur fitues në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Vendimi u mor sot në një seancë ku ishte i pranishëm vetë kryebashkiaku Pjetri i shoqëruar nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste Eridjan Salianji.
Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtari Hasan Selimi.
Tre ditë më parë, kjo gjykatë e shtyu vendimin për konfirmimin e mandatit të Valdrin Pjetrit, për tu njohur me provat e paraqitura nga Bashkia e Shkodrës, me kryetaren në ikje Voltana Ademi, që pretendonte parregullsi në procesin zgjedhor. Bashkia e Shkodrës u përfaqësua në këtë proces nga avokati Jordan Daci.
"Këto nuk ishin pretendimet e PD-së, ishin pretendimet e kryetares së bashkisë në detyrë, Voltana Ademi. Gjykata vendosi kthimin e padisë dhe akteve duke gjykuar që ky ishte vendimi i saktë për këtë rast. Ky rast ngre probleme të rëndësishme procedurale. Bëhet fjalë për një praktikë të pazhvilluar më parë. Vetë mekanizmi i ndërhyrjes në proceset në fjalë që është bërë dhe nga zonja Ademi është një risi në procedurën e gjykimit në Shqipëri. Gjithsesi ne nuk heqim asnjë presje pretendimeve tona përsa i përket parregullsive të fitimit të gjithë mandateve duke përfshirë edhe mandatin e sapovërtetuar nga Gjykata e Shkodrës. Nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese pretendimet e zonjës Ademi ishin të drejta. Dhe mendoj se ka akoma mjete juridike në dispozicion që do të përdoren nga zonja Ademi, institucionet e gjyqësor për të rivendosur të drejtat që mendojmë se na janë shkelur. Zgjidhja përfunditmare e gjithë pretendimeve për votimet e 30 qershorit do jepet nga GJykata Kushtetuese që besoj do krijohet shumë shpejt, dhe shqiptarët do kuptojnë si fituesit dhe humbësit, se ishte mandat sipas kushtetutës apo jo", tha në një prononcim për mediat avokati Jordan Daci në përfundim të seancës gjyqësore.