Ka filluar rehabilitimi i lumit Zeze i cili përshkon skajin jugor të qytetit të Fushë-Krujës. Punimet kanë mbërritur deri tek ura e lumit Zeze e cila është shembur. Si pasojë e kësaj në autostradë janë krijuar problem të mëdha me trafikun, pasi Fushë-Kruja nuk ka një unazë për devijimin e trafikut.
Rehabilitimi i lumit vjen si pasojë e përmbytjeve të shpeshta që ky lumë i ka shkaktuar qytetit të Fushë-Krujës dhe zonave përreth.
Të gjitha makinat që lëvizin nga Kruja e Fushë-Kruja për në drejtim të Tiranës, jugut apo veriut duhet të futen në autostradë në afërsi të fshatit Luz ku dhe aty duhet ndërprerë autostrada për të dalë në korsinë e djathtë që shkon në drejtim të Tiranës, Durrësit apo aeroportit të Rinasit. Për pasojë në autostradën Fushë-Krujë- Milot dhe -Fushë- Krujë-Rinas-Vorë ka sjellë një trafik të rënduar dhe radha e automjeteve në të dy krahët e kësaj autostrade shkon në mbi 5 kilometra.
Për fillimin e punimeve është zgjedhur një kohë aspak e përshtatshme pasi tani siç dihet është piku i sezonit turistik dhe rrjedhimisht fluksi i emigranteve që kthehen në atdhe për pushime është maksimal.
Duhet theksuar se rikonstruksioni i autostradës Fushë-Krujë-Thumanë, u bë 2 vjet më parë por nuk u planifikuan as mbikalime e as nën kalime për automjete apo për këmbësorë ndërsa pasojat vihen re sot.. Përgatiti: Julian Shota