Një përplasje e armatosur mes dy grupeve kriminale ndodhur mesditën e sotme në një lokal në hyrje të qytetit të Kavajës, ka lënë të vdekur një kalimtar të rastësishëm i cili sapo kishte blerë bukë, si dhe shtatë të plagosur. Sherri i dhunshëm që degjeneroi në përdorimin e armëve me breshëri, dyshohet të ketë motiv konfliktin për zonën e influencës për shpërndarjen e drogës, megjithatë vijojnë hetimet. Në ngjarje janë përfshirë dy grupe vëlllezërish Hyka e Dedej nga njëra anë dhe vëllezërit Aliu në krahun tjetër.
Vëllezërit Eraldo dhe Elio Hyka së bashku me Rustem dhe Elton Dedej, gjithashtu vëllezër me njëri-tjetrin, ndodheshin në lokal për tu sqaruar me vëllezërit Marjus dhe Denis Aliu. Janë përplasur fillimisht me grushte dhe më pas kanë nxjerrë armët duke qëlluar me të paktën 15 plumba kundër njëri-tjetrit.
Sipas policisë, nga të shtënat e Marjus Aliut mbeti i vdekur kalimtari i rastësishëm, 50-vjeçari Ramazan Hasalliu, që sapo kishte dalë nga furra me bukë në dorë.
Të plagosur mbetën: Vëllezërit e përfshirë në konflikt Rustem dhe Elton Dedej, që aktualisht ndodhen në Spitalin e Durrësit. Ata dyshohet të mos kenë qëlluar me armë, dhe përplasja e armatosur të jetë bërë mes vëllëzërve Hyka dhe Aliu. I plagosur mbeti edhe vetë Marjus Aliu, i cili është qëlluar nga vëllezërit Elio dhe Eraldo Hyka.
Po ashtu, plumbat kapën edhe dy persona të tjerë të rastësishëm. Sali Mekja, pronar i një lokali tjetër përball vendit ku ndodhi përplasja po qëndronte në lokalin e tij me një mik, Arben Ajdini, kur të dy i kapën plumbat. Policia tha zyrtarisht se të plagosur mbetën 5 persona, por gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra, raporton se në Spitalin e Durrësit kanë mbërritur 7 persona të plagosur si pasojë e shkëmbimit të zjarrit.
I vetmi i arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë, është Marjus Aliu, i cili është prangosur në spital ku ndodhet i plagosur. Vëllai i tij Denis Aliu është shpallur në kërkim policor, së bashku me vëllezërit e krahut tjetër, Eraldo e Elio Hyka. Sipas gazetarit Artur Korriku, zënka mes të rinjve kishte nisur mbrëmjen e kaluar. Sot paradite vëllezërit Dedej kanë rrahur Denis Aliun dhe një orë më pas e kishin lënë për t'u sqaruar në një lokal në hyrje të Kavajës pranë një furre buke, ku ndodhi edhe përplasja e armatosur. Ngjarja ka tronditur qytetin e Kavajës, pasi skena ka qenë e denjë për filma me përplasjen me armë zjarri në mes të ditës.