Suksesi i Bashkisë së Tiranës me ndërtimin e këndeve të lojërave në çdo lagje të qytetit, ka zgjuar edhe interesin e privatëve për krijimin e mjediseve të tilla për fëmijët. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë dje në përurimin e këndit më të ri të lojërave, i quajtur ?Latitude?, i cili jo vetëm që ka krijuar një hapësirë të re për fëmijët dhe prindërit e tyre, por edhe ka sjellë më shumë punësim.
?Ka ardhur dita që edhe sipërmarrësit shqiptarë po shohin potencialin që kanë investimet për fëmijët, tek jeta e shëndetshme, tek të marrurit me sport të pastër, tek loja në skuadër, tek një mënyrë shumë më e mirë për të kaluar kohën, se sa kafenetë, bingot apo bastet. Më bëhet zemra mal sepse do të thotë që ajo që mbollëm me fushatën e këndeve të lodrave, kur merr bekimin e biznesit, i cili është gjithmonë më dyshues sepse i duhet të marrë kredi, të harxhojë para, do të thotë që kemi bërë gjënë e duhur?, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se pavarësisht se në fillim shumë njerëz ishin skeptikë për ndërtimin e këndeve të lojërave, kjo nismë ka rezultuar e suksesshme. Veliaj theksoi se më e rëndësishme se zgjedhjet e ardhshme, qëllimi i bashkisë ka qenë të punojë për gjeneratën e ardhshme, fëmijët.
?Njerëzit më thoshin mos u merr me kalamajtë, ti je politikan tani, duhet të merresh me ata që votojnë dhe ata që paguajnë taksa. Kalamajtë as nuk votojnë, as nuk paguajnë taksa. Por, gjithmonë kisha një pyetje: do mendojmë vetëm për zgjedhjet e ardhshme apo për gjeneratën e ardhshme? Për çunat dhe gocat që nesër do të drejtojnë këtë vend, këtë qytet, këtë shtet, dhe do mësojnë që në këtë moshë se çfarë do të thotë të humbasësh, që nuk është fundi i botës, e çfarë domethënë të fitosh?, deklaroi ai.
Veliaj nënvizoi se partia kryesore e qytetarëve shqiptarë duhet të jetë familja e tyre dhe shtoi se 45 këndet e hapura vetëm në katër vite, kanë sjellë edhe një emancipim të familjeve shqiptare dhe të gjithë shoqërisë sonë.
?Jam shumë i lumtur që është krijuar një hapësirë fantastike, ndoshta më e mira në Ballkan, për të kaluar kohë cilësore dhe kohë familjare. Merremi shumë me gjëra pa vlerë dhe harrojmë që partia kryesore, qëllimi kryesor, sipërmarrja kryesore e njeriut është familja e tij?, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës në 4 vitet që lamë pas ka investuar shumë në ndërtimin e mjediseve për fëmijët, qoftë në kënde lojërash në shumicën e lagjeve të kryeqytetit, qoftë në terrene sportive.