Vdes në spital nga një plumb me armë në gjoks, kreu i njësisë adminsitrative në Kotë, 60-vjeçari Argjil Gjoka. Siç raporton gazetari i Report Tv në Vlorë, Gjoka mori një plumb në gjoks dhe u transportua në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Vlorës ku gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ndërroi jetë në sallën e operacionit.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Petë, ku Gjoka mësohet se ndërhyri në një sherr për një rrugë që po hapej në zonë mes anëtarëve të familjes Bejtaj dhe një fadromistit, por në tentativë për t'i ndarë ata, 60 vjeçari mori një plumb në gjoks që i mori edhe jetën.
Autori i dyshuar i ngjarjes është Mersin Bejtajt. Sipas informacioneve të marra nga spitali i Vlorës, i plagosur mbeti edhe një nga personat e përfshirë në konflikt, 19-vjeçari, Arif Bejtaj, kushëriri i autorit. Aktualisht 19-vjeçari ndodhet në spitalin e Vlorës jashtë rrezikut për jetën.
Banorët e zonës shprehen se 60 vjeçari Gjoka ishte një njeri shumë shumë punëtor dhe se kishte bërë shumë për ta.
"Nuk i njohim autorët ata rrinë larg. Jam e tronditur" është shprehur një banore.
"Ishte njeri i shenjtë, ishte njeri punëtor. Ishte një tip debati. S'ka patur konflikt. Nuk e di si ndodhi" ka thënë në banor tjetër.
Kujtojmë se në nëntor të 2018-ës, është vrarë me armë ish-kreu i njësisë Administrative Kotë në Selenicë, Fatmir Hodo. Për ngjarjen në atë kohë u arrestua 44-vjeçari Admir Delaj nga fshati Gumenicë
Delaj qëlloi Hodon me armë gjahu pas një bisede të tensionuar për çështje pronësie, në hyrje të një lokali ndërsa të dy kishin konsumuar pije alkoolike bashkë disa minuta para se të ndodhte ngjarja. Pas vrasjes së Fatmir Hodos, vendin e tij e zuri Argjil Gjoka, ku për rastësi, kryeadministratori u qëllua sërish për një konflikt me në qendër çështjes e pronësisë, edhe pse vetë ai nuk ishte objektivi.