Autoritetet belge i kërkojnë Prokurorisë Shqiptare të marrë dëshminë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në lidhje me 3.4 milionë eurot, të gjetura në një Toyota Yaris, në Portin e Durrësit një vit më parë. Pikërisht nga ky vend është origjina e mjetit ku u gjetën paratë. Kjo është shkresa e cila mban datën 22 Maj, e cila ka mbërritur pranë Prokurorisë Shqiptare.
Aty kërkohet që Basha të sqarojë se nga cili e ka marrë informacionin se në portin e Durrësit do të mbërrin makinat me para dhe nëse ka dijeni për prejardhjen e tyre. Më pas, hetuesi belg kërkon të dijë nga Prokuroria Shqiptare nëse është ngritur ndonjë hetim për deklaratat e Bashës.
Nëse po, ai kërkon një kopje. Burime për Televizionin Klan nga Partia Demokratike thonë se Kryetari Basha ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar hetimet e drejtësisë belge. Sipas të njëjtave burime, ai do të dëshmojë për të ndihmuar zbardhjen e lidhjeve kriminalo-politike.
Në dokumentin e autoriteteve belge janë të listuar emrat e 12 personave, të cilët janë nën hetim për këtë çështje. Aktualisht të arrestuar në Tiranë janë 4 persona: Edi Lika, Klevi Cani, Alban Mollaymeri dhe Agim Çeka. Këta kanë transportuar me trajler makinën ku u gjetën paratë. Transporti është bërë për llogari të dy kushërinjve Alfred dhe Elvis Vladi, të cilët zotëronin një agjenci për dhënien me qira të automjeteve. Prej një viti ata janë në arrati.
Tv Klan