Për të tretën herë radhazi tregtarët e fruta perimeve në Korçë kanë protestuar përpara Bashkisë së qytetit. Shkak është bërë tarifa mujore e vendosur nga bashkia për vendet e tregtimit. Taksa për një vend është ulur nga 10 mijë lekë në 8 mijë lekë, por prapë kjo tarifë për tregtarët është shumë e lartë dhe nuk e justifikon xhiron mujore të tyre.
"Atje ku jemi nuk ka punë fare, jemi shumë keq nuk përballojmë tarifat që kemi. Bashkia ka të drejtë të na i kërkojë po ne jemi minus sa të fusim këmbët në treg, nuk jemi në gjendje. Na ulën tarifën pak por prapë se përballojmë. Tirana është më mirë e kanë tarifën më të ulët dhe që ka 10 fishin e popullsisë së Korçës. Nëse unë nuk nxjerr lekët e tarifës do të largohem" thonë ata.
Ndërkaq, tregtarët ankohen edhe për konkurrencën e pa ndershme. Ata ngritën zërin kundër shitësve ambulantë dhe tregtarëve të shumicës, pasi sipas tyre këta të fundit ushtrojnë aktivitetin edhe me pakicë duke ndikuar në punën e tyre.
"Na premtuan se nëse ne kalojmë tek tregu i ri, nuk do të ekzistojë asnjë shitës ambulant dhe se shumica do të mbyllet në 08:00 por shumica punon gjatë gjithë ditës me pakicë. Protestojmë për të drejtat tona. Na thanë që nuk do të hapen dyqane fruta-perimeve në territorin tonë, por nuk është e vërtetë. Ne kërkojmë që të largohen nga territor i pazarit se përndryshe ne jemi të mbaruar" thanë ata.
Duke kërkuar uljen e tarifës, largimin e tregtarëve ambulantë dhe zhvendosjen e shumicës larg tyre, protestuesit paralajmërojnë se nëse pikat e tyre nuk plotësohen atëherë ata do të mbyllin aktivitetin