Nga Çorovoda ku prezantoi kandidatin për Kryebashkiak për zgjedhjet e 30 Qershorit, Kryeministri Edi Rama ripërsëriti se zgjedhjet do të ishin antidemokratike nëse opozita do të pengohej që të futej në to. Rama tha se zgjedhjet e 30 Qershorit janë një moment për të vendosur një vijë të kuqe mes të shkuarës dhe së ardhmes.
"Ne nuk i kemi krijuar asnjë pengesë, që ata të hyjnë në zgjedhje, përkundrazi dhe nëse do të ishte kështu, atëherë zgjedhjet do të ishin antidemokratike. Por në kushtet kur ata kanë pranuar të kapitullojnë pa luftë dhe kanë vendosur që betejën demokratike ta spostojnë nëpër rrugë, duke u kthyer tamam si ato rrugët e lëna rrugëve të Saliut, atëherë zgjedhjet nuk janë aspak jo demokratike, përkundrazi në 30 Qershor, zgjedhjet janë një moment për të vënë vijën e kuqe midis të shkuarës që ata mishërojnë dhe të ardhmes që ne duam për fëmijët tanë".
Kryeministri foli edhe për përgjimet e Dosjes 339 duke akuzuar prokurorët, që sipas tij në vend që të hetojnë, shpërndajnë përgjimet.
"Prokurorë të diskritituar, prokurorë me shumë hije në karrierën e tyre kanë preferuar që në vend se t'i hetojnë dhe në vend se të veprojnë menjëherë, të mbledhin të gjitha ato llumëra, t'i bashkojnë në një kazan me kapat të mbyllur dhe ta dorëzojnë kazanin tek partia Demokratike dhe pastaj nga PD, kapaku të hapet me synimin për të ndotur Shqipërinë"./tvklan.al