Përcillet për në banesën e fundit Muhamet Liko, humoristi vlonjat që ndërroi jetë pak ditë më parë në Itali në moshën 64-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak. Mesditën e sotme në teatrin "Petro Marko" u zhvilluan homazhet ku miq, të afërm, familjarë, por edhe shumë personalitete mes tyre artistë i dhanë lamtumirën e fundit parodistit të njohur.
Pa dyshim që dhimbja ishte e madhe edhe për dy parodistët e tjerë Agron Hamo dhe Afrim Agalliu që sot i dhanë lamtumirën mikut të tyre. "Është një moment shumë i vështirë jo vetëm për familjen, por edhe për ne që punuam një jetë të tërë bashkë, 42 vite. Kjo është dhimbje e madhe për të gjithë artdashësit shqiptarë dhe këtë e kemi ndier këto ditë që Metin që nuk e kemi.
Meti do të mbetet një nga figurat më të shquara të humorit shqiptar, ai nuk i përkiste vetëm Vlorës, por humorit shqiptar. Metin nuk do ta kemi fizikisht, por do ta kemi në mendjen dhe zemrën tonë. Lamtumirë Meti i dashur. Meti e kishte emrin Muhamed dhe e iku natën e Kadrit dhe sot ditën e Bajramit e përcjellim. Dheu qoftë i lehtë" tha Afrim Agalliu.
Ndërsa Agron Hamo u shpreh se Meti i përket të gjithë Shqipërisë më atë që ka bërë. "Ishte lezeti, kripa, njeri i mirë, familjar model. Nuk kanë të shteruar fjalët. Ky është Meti, kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria. Është shumë e vështirë ti thuash lamtumirë".
Agron Llakaj u shpreh se në memorien e shqiptarëve do të mbetet përgjithmonë ajo që Muhamet Liko ka lënë mbrapa. "Vërtetë largohet Meti, por nuk largohet gjithçka që ai ka lënë mbrapa, për mua ata janë katër musketjerët dhe kështu do të mbeten në memorien e shqiptarëve dhe të humorit shqiptar. Ne si kolegë të tij e përjetojmë ndryshe nga të tjerët. Kemi pasur fatin të kalonim një rrugëtim të bukur. Ishte një njeri i mrekullueshëm. Është një humbje e madhe për të gjithë Shqipërinë. Nuk e dija që kjo do të ishte shfaqja e fundit...." tha ai.