Sot në orën 19:00, opozita e bashkuar jo parlamentare do të zhvillojë protestën e gjashtë kombëtare kundër qeverisë Rama. Lideri demokrat Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve për t'u bashkuar këtë të shtunë në Tiranë. "Asnjë hap pas! 25maj, Shqipëria si Europa" thotë ai ndër të tjera.
Protesta e sotme vjen në një moment ndryshe nga tubimet e tjera, pasi ndërkombëtarët, konkretisht Gjermania ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar krizën politike në Shqipëri, por Basha i ka vendosur kusht Berlinit për dialogun. Lideri demokrat kërkon me cdo kusht largimin e kryeministrit, por Rama është shprehur i vendosur se qeveria dhe data 30 qershor nuk negociohen. Por Presidenti Meta shprehu gatishmërinë ditën e djeshme për të shtyrë datën e zgjedhjeve.
Një opsion i tillë u refuzua nga PS-ja, e cila ka deklaruar se pak ditë e ndajnë nga fillimi zyrtar i fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat PD-LSI dhe aleatët e tjerë opozitarë i kanë bojkotuar. Por cfarë do të ndodhë sot dhe si do të shkojë protesta e opozitës mbetet për t'u parë nëse do të ketë akte dhune si ajo e 11 majit apo do të jetë paqësore.
Në gatishmëri do të jenë si gjithmonë mbi 1300 efektivë policie dhe të gardës te Kryeministria, Kuvendi, parlamenti dhe institucionet e tjera.