Grupi më i madh në parlamentin gjerman CDU/CSU i partisë së Kancelares Merkel dhe aleatëve kristian-socialë ofrohet të ndërmjetësojë një dialog gjithëpërfshirës mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri për t?i dhënë zgjidhje krizës politike.
Në një deklaratë të dy deputetëve, Johann Wadephul dhe Christian Schmidt, thuhet se për të arritur këtë palët duhet të jenë të gatshme për kompromise dhe të mos përjashtojnë asnjë temë në diskutimet mes tyre.
"Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë".
Unioni kristian-demokrat dhe kristian-social shprehet se mungesa e opozitës në zgjedhje do të cënojë standardet demokratike të procesit dhe sugjeron si opsion shtyrjen e datës së tyre.
"Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale".
CDU-CSU dënojnë dhunën në protestën e opozitës dhe paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i situatës rrezikon të stopojë rrugën e integrimit të vendit.
"Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t'i mbyllet rruga drejt Evropës".
Në fund të reagimit për Deutsche Welle, grupi CDU-CSU thotë se bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik i Shqipërisë.
Tv Klan