Agjencia europiane për mbrojtjen e kufirit, Frontex ka nisur zyrtarisht punën për patrullimin në kufijtë e Shqipërisë së bashku me rojet kufitare shqiptare. Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, u theksua se kjo marrëveshje është e veçantë për shkak se është nënshkruar me një vend që nuk është ende anëtar i Bashkimit Europian, sikurse është Shqipëria.
Do të jenë 50 agjentë të Frontex nga 11 vende të BE-së që do të patrullojnë me rojet kufitare shqiptare për të luftuar emigracionin e parregullt dhe krimin e organizuar në kufi.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij theksoi se kjo marrëveshje nuk do të ishte finalizuar pa ndihmën e komisionerit europian Avramopoulos. Nga marrëveshja me Frontex, theksoi Kryeministri, do të jetë një përfitim i dyanshëm, teksa shtoi se ky fakt tregon angazhimin e Shqipërisë për të kontribuuar në përballimin e fluksit të migracionit të parregullt.
Komisioneri për migracionin në Bashkimin Europian, Dimitris Avramopoulos tha se marrëveshja me Shqipërinë është një burim krenarie për të dyja palët, dhe theksoi se pavarësisht patrullimit të Frontex në kufirin shqiptar, kjo nuk do të thotë shkelje sovraniteti e Republikës së Shqipërisë. Patrullimi i agjentëve të Frontex do të bëhet në bashkëpunim me agjencitë kufitare shqiptare.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli me shifra sa i përket lëvizjeve migratore në kufi.